Kasami del nga Qeveria?

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka shprehur pakënaqësi me performancën e deritanishme të partisë së tij në kuadër të koalicionit VLEN dhe në Qeveri. Në një paraqitje në TV21, ai paralajmëroi një mbledhje kyçe të Kuvendit Qendror, të caktuar për nesër, ku do të shqyrtohen çështje kadrovike dhe hapat e ardhshëm të partisë.

“Kapaciteti ynë është më i madh se ajo që kemi treguar”

Kasami pranoi hapur se partia mund të kishte dhënë më shumë rezultate.

“Personalisht mendoj se kapaciteti i Lëvizjes Besa në VLEN dhe në Qeveri është shumë më i madh se ajo që kemi treguar deri më tani”, theksoi ai.

Ai shtoi se nuk është plotësisht i kënaqur dhe se është e domosdoshme një përkushtim më i madh në të gjitha dikasteret që drejtohen nga kuadrot e partisë.

Për mbledhjen e nesërme tashmë janë përgatitur analiza mbi përparësitë dhe dobësitë e Besës në Qeveri. Organi më i lartë partiak do të dëgjojë raportet e funksionarëve, pas çka do të merren vendime konkrete për të ardhmen.

“Besoj se atje të gjithë funksionarët do të raportojnë për rezultatet e menaxhimit të tyre me institucionet… do të mbajmë qëndrime se sa jemi të kënaqur dhe nëse mund të ishte bërë më mirë”, paralajmëroi Kasami.

Back To Top