Asambleja Parlamentare e Council of Europe Parliamentary Assembly ka miratuar së fundmi një rezolutë të qartë dhe pa ekuivok për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se disa çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura dhe kërkojnë veprim pa vonesë nga autoritetet.
Në pikën 12 të rezolutës, Asambleja shpreh shqetësim të drejtpërdrejtë për mosfunksionimin dhe nevojën për reformimin e mekanizmit “Balancer”, i cili garanton qasje të drejtë dhe përfaqësim të barabartë në punësimin në sektorin publik. Mesazhi është i qartë: pa Balancer nuk ka barazi reale.
Po ashtu, rezoluta nënvizon nevojën urgjente për zbatim të plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke e konsideruar atë si element themelor të respektimit të të drejtave të komuniteteve dhe të rendit kushtetues multietnik. Çdo shmangie nga ky obligim shihet si hap prapa në standardet demokratike dhe evropiane.
Asambleja ngrit gjithashtu çështjen e respektimit të të drejtave të personave që i përkasin pakicës etnike bullgare, si dhe shqetësime serioze për komunitetin rom, i cili vazhdon të përballet me kushte të papranueshme jetese: ndotje mjedisore, rrezik nga mbeturinat, mungesë uji të pijshëm, kanalizimi dhe shërbime bazike komunale.
Në përfundim, mesazhi politik i Këshillit të Evropës është i drejtpërdrejtë dhe publik: Qeveria duhet të veprojë menjëherë. Pa zvarritje, pa justifikime dhe pa manipulim të shpresës. Barazia, të drejtat gjuhësore dhe dinjiteti i komuniteteve nuk janë çështje që “do të rregullohen së shpejti” — janë detyrime që duhet të zbatohen tani.
