Koçani/ Të akuzuarit e rastit “Pulse” para gjykatës, familjarët kërkojnë drejtësi
Thuajse dy orë para fillimit të procesit gjyqësor, para sallës gjyqësore në Idrizovë filloi tubimi i familjarëve të viktimave nga tragjedia e 16 marsit në diskotekën Pulse në Koçan.
Para sallës gjyqësore, siguria ishte në nivel të lartë, me prezencë të lartë të policisë.
Të akuzuarit nga tragjedia në Koçan dhe avokatët e tyre, një nga një vinin për në seancë. Ata që deri tani ishin në paraburgim, silleshin me furgon policie. Mes tyre, pronari i diskotekës “PULSE”, Dejan Jovanov.
E ata që qëndronin nën masa kujdesi, vinin vet.
Të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, gjithsej janë 35 persona fizik dhe tre juridik. Nën akuzë përfunduan përgjegjësit, pronarët dhe drejtuesit e kabaresë PULSE. Të akuzuar janë dy ish ministra të ekonomisë. Në ekonomi, të akuzuar janë një sekretare shtetërore dhe pesë zyrtarë shtetëror.
Të akuzuar janë dhe tre ish kryetarët e komunës së Koçanit, katër drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe një inspektor.
Tre inspektorë ndërtimor nga Koçani, dhe katër nga Inspektorati Shtetëror. Pesë persona si sigurim i objektit. Nga zjarri që shpërtheu në diskotekën PULSE, më 16 mars 2025 humbën jetën gjithsej 63 persona dhe mbi 200 mbetën të lënduar.
