Kriza në KB Çair 2030: 8 muaj pa paga për lojtarët dhe stafin teknik
Klubi i basketbollit “Çair 2030” po përballet me një situatë të rëndë financiare, duke lënë lojtarët dhe stafin teknik pa paga për plot tetë muaj.
Sipas burimeve brenda klubit, 12 basketbollistë dhe tre trajnerë ndihmës kanë kaluar një periudhë të vështirë, përfshirë edhe muajin e shenjtë të Ramazanit dhe festën e Fitër Bajramit, pa marrë kompensimin e merituar për punën e tyre profesionale.
Lojtarët theksojnë se janë të angazhuar plotësisht si profesionistë dhe nuk kanë burime të tjera të ardhurash, çka e bën edhe më të rëndë situatën ekonomike me të cilën po përballen. Ata shprehen se kjo është një dukuri e papranueshme për sportin profesional dhe se raste të tilla rrallë ndodhin jashtë këtij konteksti.
Nga ana tjetër, bëhet e ditur se klubi ka përfituar mbështetje financiare nga Komuna e Çairit, si dhe thuhet se ka marrë një vauçer nga shteti dhe mbështetje nga institucione si Lotaria Shtetërore, përveç sponsorëve të tjerë. Megjithatë, përkundër këtyre burimeve, pagesat ndaj lojtarëve dhe stafit nuk janë realizuar.
Në krye të klubit ndodhet Erhan Ramadani, ndërsa deri më tani nuk ka një sqarim publik lidhur me vonesat e gjata të pagave.
Lojtarët kërkojnë zgjidhje urgjente dhe transparencë nga drejtuesit e klubit, duke theksuar se në kushte të tilla është e pamundur të vazhdohet normalisht aktiviteti profesional
