Nga Reshat Ameti
Gjatë prezantimit të propozim-ligjeve për arsimin e lartë, ministrja e Arsimit dhe
Shkencës, ndër të tjera, deklaroi se, sipas “statistikave botërore”, për t’u renditur ndër 1000 universitetet më të mira në Listën e Shangait, një universitet duhet të publikojë të paktën 1200 punime shkencore në vit në revista me faktor impakti (sipas bazave Web of Science ose Scopus), duke e paraqitur këtë shifër si një standard dhe objektiv për politikat publike në
arsimin e lartë.
Ky pohim është thelbësisht i gabuar dhe tregon një keqkuptim të plotë të mënyrës se si vlerësohen universitetet në botë.
Së pari, Lista e Shangait, e cila rendit universitetet më të njohura në botë, nuk vendos asnjë prag minimal për numrin e publikimeve. Renditja bazohet kryesisht në cilësinë dhe ndikimin e kërkimit të stafit akademik dhe institucionit, jo në prodhimin mekanik të artikujve.
Indikatorët kryesorë të përdorur për këtë renditje përfshijnë: fitues të çmimeve Nobel dhe medaljeve Fields, studiues shumë të cituar globalisht, publikime në revista elitare si Nature dhe Science, ndikimin e citimeve, si dhe performancën akademike të stafit. Asnjë nga këta tregues
nuk reduktohet në thjesht “sa artikuj prodhon universiteti në vit” dhe përdorimi i një numri minimal si “1200” është një interpretim i gabuar dhe i rrezikshëm, për arsyet që do t’i paraqes
në vijim.
Së dyti, fakti që universitetet më të mira në botë publikojnë mijëra punime në vit nuk
do të thotë se ky është shkaku i suksesit të tyre. Në kërkimet shkencore vlen një rregull themelor: korrelacioni nuk nënkupton domosdoshmërisht kauzalitet. Universitetet elitare publikojnë shumë sepse kanë ekosisteme kërkimore të zhvilluara, jo anasjelltas. Imitimi i numrave pa ndërtuar kushtet që i prodhojnë ata është politikë e dështuar që në koncept.
Së treti, universitetet që kryesojnë renditjet globale investojnë miliarda euro në vit në
kërkim dhe zhvillim shkencor: laboratorë modernë, fonde konkurruese, mbështetje
administrative për studiuesit, paga dinjitoze, kohë të mbrojtur për kërkim, bashkëpunime ndërkombëtare dhe një kulturë akademike që shpërblen cilësinë, jo sasinë. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut shpenzon vetëm rreth 0.38% të PBB-së për kërkim dhe zhvillim shkencor.
Edhe nëse financimi për kërkimin shkencor në vendin tonë dyfishohet apo rritet më shumë, siç është premtuar, kjo mbetet sërish në nivel simbolik në raport me investimet reale të universiteteve elitare dhe nuk mjafton për të krijuar ekosistemin që prodhon kërkim me ndikim ndërkombëtar.
Së katërti, rritja e cilësisë së arsimit të lartë nuk arrihet me kuota numerike, por me
analiza kontekstuale dhe politika të bazuara në prova: ku ndodhen universitetet tona sot, çfarë infrastrukture kanë, sa financohet kërkimi, sa mbështeten studiuesit e rinj, sa reale janë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe sa e shëndetshme është kultura akademike.
Ta reduktosh suksesin universitar në një shifër si “1200 punime në vit” nuk është
reformë, por iluzion dhe keqkuptim i thellë i mënyrës se si funksionon shkenca moderne dhe reformat e mirëfillta arsimore-shkencore, sepse kjo qasje nuk forcon cilësinë, por e zhvendos vëmendjen nga ndërtimi i kapaciteteve reale drejt prodhimit artificial të statistikave.Nëse synimi është përmirësimi real i arsimit dhe kërkimit shkencor, atëherë fokusi duhet të jetë mbështetja, investimi dhe cilësia, jo presioni për sasi. Universitetet e mira nuk
ndërtohen duke numëruar artikuj, por duke ndërtuar sisteme që prodhojnë dije me vlerë.
(Autori është profesor dhe magjistër në Menaxhim dhe Lidership në Arsim)
