Liridona Beqiri: Kur shqetësimi për përkthim servohet si versioni zyrtar i pabarazisë!

Shqetësimi i Presidentes lidhur me provimin e jurisprudencës se “mos humbemi në përkthim” do të ishte i kuptueshëm nëse do të flisnim për letërsi apo poezi, ku nuancat stilistike janë thelbësore. Por në fushën e jurisprudencës, gjuha nuk është çështje ndjesie por çështje standardi.

Terminologjia juridike ndërtohet mbi saktësi, unifikim dhe interpretim të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, standardet nuk “humbin në përkthim” kur ekziston vullnet institucional për t’i garantuar ato, ndërsa zbehen vetëm kur mungon ky vullnet.

Për më tepër, është paradoksale që një qasje e tillë të artikulohet nga një autoritet akademik i së drejtës. Vetë sistemi juridik mbështetet mbi parime themelore si qartësia, aksesi dhe barazia para ligjit, parime që nuk mund dhe nuk duhet të kufizohen përmes gjuhës.

Nëse edhe gjykatat ndërkombëtare funksionojnë përmes përkthimit pa kompromentuar drejtësinë, atëherë pretendimi se gjuha rrezikon standardin juridik nuk qëndron, përkundrazi, ai bie ndesh me vetë praktikën ndërkombëtare.

Njohja e gjuhës maqedonase është pa dyshim një detyrim ligjor. Por ky detyrim nuk përjashton të drejtën për të demonstruar kompetencën profesionale dhe për të ushtruar profesionin edhe në gjuhën amtare, sidomos kur ligji e mundëson.

Frika nga “humbja në përkthim” në këtë rast nuk është frikë nga gabimi por është frikë nga barazia.

Back To Top