Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, deklaroi se nuk ka marrë asnjë informacion nga kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me mundësinë e përfshirjes së ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, në një rikonstruim të mundshëm të qeverisë, përcjell TV21.
Sipas tij, çështja e rikonstruimit është e drejtë ekskluzive e mandatarit, ndërsa theksoi se deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ndryshime në kabinetin qeveritar.
Duke komentuar deklaratat e fundit nga përfaqësues të disa partnerëve të koalicionit, përfshirë subjektin politik VLEN, Dimitrievski i cilësoi ato si deklarata subjektive që, sipas tij, bien në nivel të politikës ditore dhe përpjekjeve për të mbledhur pikë të ulëta politike.
“Ndryshe, të gjitha ato deklarata subjektive që janë dhënë nga ana e disa kolegëve kryetarë komunash, liderë ose përfaqësues të disa partnerëve të koalicionit i barazoj në nivel të politikës ditore dhe mbledhjes së pikëve të ulëta politike. Unë si kryetar i ZNAM jam i kënaqur me punën e ministrit Fillkov dhe ai gëzon plotësisht mbështetjen time”, deklaroi Dimitrievski.
Ai shtoi se personalisht është i kënaqur me angazhimin e Fillkovit në krye të Ministrisë së Drejtësisë, duke theksuar se ministri, si kuadër i ZNAM-it, vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të partisë.
