MARIN MEMA SHPËRTHEN NDAJ MINISTRES JANEVSKA: “Kush përçmon shqipen, përçmon shqiptarët!”
Gazetari i njohur Marin Mema ka reaguar me tone të forta pas situatës së krijuar në Tetovë, ku Ministrja e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska, sipas raportimeve, u ka kërkuar gazetarëve shqiptarë të komunikojnë në maqedonisht dhe ka kundërshtuar përdorimin e gjuhës shqipe gjatë një aktiviteti publik.
Në reagimin e tij publik, Mema e cilëson këtë qëndrim si nënçmues dhe të papranueshëm ndaj një gjuhe që është zyrtare në vend. “Kush përçmon shqipen, përçmon shqiptarët,” – thekson ai, duke shtuar se heshtja përballë situatave të tilla përbën pranim dhe bashkëfajësi.
Sipas reagimeve në terren, gazetarët shqiptarë kanë ulur mikrofonët në shenjë proteste, duke refuzuar të zhvillojnë komunikimin në një gjuhë tjetër përveç shqipes. Kjo lëvizje është përshëndetur nga shumë zëra publikë si një akt dinjiteti dhe qëndrese profesionale.
Mema thekson se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë minoritet, por popull autokton që duhet të gëzojë të drejta të plota dhe të padiskutueshme, përfshirë respektimin e gjuhës shqipe në çdo institucion.
