Mbështetje e lartë publike për ambasadorin shqiptar Denion Meidani

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar publikisht pas sulmeve dhe komenteve të shumta të ditëve të fundit, duke publikuar një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, i shoqëruar me një sondazh ku vlerësimi pozitiv për të tejkalon 90 për qind.

Në postimin e tij, Meidani nuk përmend emra konkretë, por lë të kuptohet se kritikat vijnë nga aktorë të ndryshëm që, sipas tij, kanë zgjedhur të heshtin “në momentin më kritik për çështjen”.

“Ka disa që janë mërzitur, sepse në momentin më kritik për çështjen heshtën, si, në fakt, kanë heshtur gjithmonë,” shkruan ai, duke aluduar për qëndrime të mëhershme të aktorëve politikë dhe institucionalë.

Ambasadori përmend edhe ata që, sipas tij, për shkak të pozitave që mbajnë, tashmë janë të detyruar ta çojnë çështjen deri në fund, duke e cilësuar situatën si një “tango të vështirë mes palëve”. Në një tjetër pjesë të reagimit, ai flet për frikën, interesin personal dhe mendësinë e vjetruar si pengesa për mbështetjen e plotë të një kauze që, sipas tij, lidhet me të drejtën dhe rrugën e mbarë.

“Ka disa që i pengon ritmi i Shqipërisë dhe pesha që ajo mbart,” thekson Meidani, duke shtuar se të tjerë “çdo gjë e matin me interesin personal” apo e bëjnë reagimin “vetëm për klikime”.

Megjithatë, në fund të mesazhit, ambasadori distancohet nga personalizimi i çështjes: “Kauza nuk jam, s’dua të jem, e kurrsesi s’ka si të jem, unë :)”, shkruan ai, duke theksuar se shumica, sipas tij, “ecim vetëm me të drejtën përpara”.

Postimi vjen në një moment debatesh të forta publike rreth angazhimit të diplomacisë shqiptare në disa procese të ndjeshme në vend. Sondazhi i publikuar prej tij, ku mbështetja shkon mbi 90%, është parë nga mbështetësit si tregues i besimit qytetar, ndërsa kritikët e kanë cilësuar si pjesë të përplasjes politike dhe mediatike që po zhvillohet.

Me hashtagun #VetëmPërpara, Meidani duket se ka zgjedhur të përgjigjet me mesazh politik e simbolik, duke sinjalizuar se, pavarësisht zërave kritikë, ai do të vijojë angazhimin në mbrojtje të asaj që e konsideron si kauzë të drejtë.

Back To Top