Denion Meidani ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Komunës së Gostivarit, z. Valbon Limani, dhe Kryetarin e Komunës së Vrapçishtit, z. Isen Shabani.
Gjatë takimit, Meidani uroi dy kryetarët për mandatin e ri, duke i falënderuar për përkushtimin, punën e palodhur dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve që ata përfaqësojnë.
Në fokus të bisedimeve ishte rëndësia strategjike e Korridorit VIII, i cili u vlerësua si projekt kyç me ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të rajonit, veçanërisht për komunat që përfshihen drejtpërdrejt në gjurmën e këtij korridori.
Po ashtu, palët diskutuan për vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta ndërmjet institucioneve lokale, si dhe për nisma të reja që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin lokal.
Meidani theksoi se bashkëpunimi institucional, vizioni i përbashkët politik dhe angazhimi në terren mbeten elementë kyç për zhvillim real, për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.
