Meral Ferati drejtore e re në Spitalin gjinekologjik – Çair. Qytetari: A s’kemi figura të reja a?

Meral Ferati emërohet drejtoreshë në Spitalin Gjinekologjik – Çair, qytetarët kritikë: “A nuk ka figura të reja?”

Dr. Meral Uzeiri Ferati është emëruar drejtoreshë e re e I.P.SH Spitalit të Specializuar për Obstetrikë dhe Gjinekologji “Nëna Terezë” në Çair. Emërimi i saj vjen në një periudhë kur pritet përmirësim i dukshëm i shërbimeve shëndetësore dhe rritje e efikasitetit në menaxhimin e këtij institucioni.

Sipas njoftimeve zyrtare, drejtuesja e re synon forcimin e kapaciteteve menaxheriale, ngritjen e standardeve të kujdesit shëndetësor dhe realizimin e objektivave strategjike të spitalit. Dr. Ferati është mjeke gjinekologe me përvojë të gjatë profesionale dhe ka qenë aktive edhe në jetën publike.

Megjithatë, ky emërim ka nxitur reagime dhe kritika në opinionin publik, veçanërisht për shkak të lidhjeve politike. Dr. Meral Uzeiri Ferati është kuadër i Lëvizjes Arbëria, pjesë e koalicionit VLEN, dhe më herët ka ushtruar funksionin e deputetes në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kontekst, qytetari Ardi Abdullahi ka reaguar publikisht, duke ngritur dyshime për riciklim të kuadrove politike në institucionet shtetërore:

“Si është e mundshme që këta që ishin me PDSH e BDI, prapë sot janë nëpër poste? A nuk ka njerëz të rinj dhe të mençur? Përveç këtyre që i kanë pasur postet, a nuk janë institucionet të mbushura me kuadro të partive të vjetra? Kjo po na vjen çudi, sepse përsëri po shohim të njëjtit emra nëpër poste,” ka shkruar Abdullahi.

Reagime të ngjashme po shtohen edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë transparencë më të madhe në emërime dhe hapje të institucioneve ndaj kuadrove të reja profesionale, jashtë ndikimeve partiake.

Back To Top