Mickoski flet kundër drejtësisë selektive, ndërsa pasuritë e konfiskuara të Mihajllkovit përfundojnë sërish në familje
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi sot në seancën konstituive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pronës se nuk duhet të ketë drejtësi selektive dhe se pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme duhet t’i kthehen popullit përmes konfiskimit, një qëndrim që ai e paraqet si politikë shtetërore të Qeverisë.
Megjithatë, kjo nuk është një politikë e re vetëm në deklarata. Në Maqedoninë e Veriut tashmë ekzistojnë ligje dhe iniciativa të miratuara për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, përfshirë edhe Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, transmeton Portalb.mk.
Problemi kryesor mbetet zbatimi në praktikë. Një nga rastet më të kontestuara është ai i ish-zyrtarit të lartë dhe bashkëpartiakut të VMRO-DPMNE-së, Sasho Mihajllkov, i dënuar në disa procese gjyqësore. Edhe në rastet kur pasuri të tij janë konfiskuar në të kaluarën, ato janë blerë më pas sërish përmes djalit të tij, duke u rikthyer praktikisht brenda së njëjtës familje.
Kjo situatë, që shumëkush e cilëson si absurde, ngre dyshime serioze mbi efektivitetin real të konfiskimit si instrument kundër korrupsionit. Në vend që pasuria të mbetet pronë publike ose të kthehet realisht në dobi të qytetarëve, ajo përfundon përsëri në duar private, duke e bërë procesin formal dhe pa ndikim real.
Rasti Mihajllkov është kthyer në simbol të asaj që kritikët e quajnë drejtësi selektive dhe konfiskim në letër. Në këtë kontekst, deklaratat e sotme të kryeministrit për barazi para ligjit përballen me skepticizëm të madh, ndërsa qytetarët presin veprime konkrete që dëshmojnë se ligji vlen për të gjithë, pa përjashtime.
