Ministria e Drejtësisë insiston, shqiptarët s’mund ta japin jurisprudencën në gjuhën e vet

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Mbikëqyrjen inspektuese nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve e konsiderojnë të jashtëligjshme

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ende nuk ka epilog. Deri tani as Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve dhe as Avokati i Popullit nuk kanë dalë me përfundime nga lëndët të cilat po i zhvillojnë për këtë rast.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë insiston se provimi i jurisprudencës është provim profesional, jo procedurë administrative dhe mbahet vetëm në maqedonisht.

“Ai nuk është pjesë e procesit arsimor dhe as procedurë administrative me kërkesë të palës, por verifikim profesional i njohurive, i rregulluar me ligj të veçantë. Ligji për përdorimin e gjuhëve zbatohet në procedura ku qytetarët realizojnë të drejta, e jo në provime profesionale (lex specialis), ku nuk është paraparë detyrim për version dygjuhësh. Provimi i jurisprudencës është bazë për hyrje në profesionet në sistemin gjyqësor, të cilat kërkojnë zotërim aktiv të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare”, thanë nga Ministria e Drejtësisë

Së fundmi, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet, por nga Ministria e Drejtësisë thonë se kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e ligjeve i vlerëson vetëm Gjykata Kushtetuese dhe askush tjetër.

“Sa i përket mbikëqyrjes së jashtëzakonshme nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, ju njoftojmë se ajo është kryer pa bazë ligjore, pa iniciativë, pa urdhër me shkrim dhe pa arsyetim për veprim sipas detyrës zyrtare. Një veprim i tillë përbën shkelje serioze, krijon precedent dhe tregon se organi ka vepruar jashtë kompetencave të tij ligjore, duke vënë në pikëpyetje rendin juridik dhe mbrojtjen e interesit publik”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Çështja e provimit të jursprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe ditëve të fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Pas kësaj ka pasur reagime dhe përplasje të shumta politike.

BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët kanë kritikuar qeverinë, BDI madje dorëzoi edhe propozim-ligj, ndërkaq VLEN në pushtet premtoi se do ta zgjidhin këtë çështje. LSDM-ja tha se e përkrah që provimi të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë mbeti e qëndrimit se provimi nuk mund të mbahet në shqip.

Kryeministri tha se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip ndërsa më pas më pas tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut.

Pati përplasje edhe midis zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe ministrit të Drejtësisë Igor fillkov.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet.

Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

Back To Top