Mungesa e parkingjeve problem shqetësues

Komuna e Çairit po përballet me një problem të thellë urbanistik që ka ndikuar dukshëm në jetën e përditshme të qytetarëve. Sipas BDI-së, mungesa e parkingjeve dhe rrugët e bllokuara nga stërngarkimi me vetura kanë sjellë një paralizë të faktshme në lëvizjen dhe funksionimin normal të komunës.

“Qytetarët përballen çdo ditë me vështirësi për të lëvizur, gjetur vend për parkim dhe për të kryer aktivitetet e tyre të zakonshme. Situata ka arritur në një pikë ku trafiku dhe mungesa e infrastrukturës bazë po krijojnë shqetësime të mëdha për jetën e përditshme,” theksojnë nga BDI.

Partia thekson se ky është një problem që kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe shtetërore. Ndër të tjera, BDI kërkon ndërtimin e hapësirave të mjaftueshme për parkim, rregullimin e rrugëve të bllokuara dhe një plan afatgjatë për menaxhimin e trafikut në të gjithë komunën.

“Çdo qytetar i Çairit ka të drejtë të lëvizë lirshëm dhe të kryejë aktivitetet e tij pa u ndikuar nga mungesa e hapësirave dhe stërngarkimi i automjeteve. Kjo është një çështje që kërkon përgjegjësi dhe veprime konkrete nga të gjitha nivelet e pushtetit,” theksojnë nga partia.

Problemi i trafikut dhe mungesa e parkingjeve nuk janë fenomen i izoluar; BDI paralajmëron se nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, situata mund të përkeqësohet dhe jetesa e përditshme e qytetarëve do të bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Back To Top