Nafie Selmani: VLEN po paraqitet si subjekt që ka tradhtuar premtimet e veta

Shkrimtarja dhe analistja Nafie Selmani ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si koalicioni qeverisës VLEN po ushtron pushtetin, duke e akuzuar për largim nga premtimet për ndryshim dhe për riciklim të praktikave të vjetra politike.

Sipas Selmanit, VLEN erdhi në pushtet me premtime për standarde të reja politike, çlirimin e institucioneve dhe pavarësinë e mediave, por praktika aktuale, siç thotë ajo, e rrëzon këtë narrativë. Ajo thekson se përmbajtja e portalit “Fol” dëshmon një vijë editoriale të njëanshme, me sulme të vazhdueshme ndaj opozitës dhe trajtim afirmues për politikat e VLEN-it.

Veçanërisht problematik, sipas saj, është fakti që Latif Arifi, Koordinator nacional për komunikim dhe media i emëruar nga Qeveria, paraqitet si kolumnist në këtë portal. Selmani e cilëson këtë situatë si konflikt interesi, duke theksuar se një funksionar i lartë shtetëror, i paguar për komunikimin e pushtetit, nuk mund të shfaqet njëkohësisht si opinionbërës në media që përfiton nga reklamat zgjedhore.

“Media, në këtë rast, nuk vepron si kontrolluese e pushtetit, por si zgjatim i tij”, shkruan Selmani, duke shtuar se paraqitjet e shpeshta të Arifit shoqërohen me sulme ndaj figurave opozitare, veçanërisht ndaj Arben Taravarit, çka sipas saj e varfëron debatin publik dhe e zhvendos vëmendjen nga politikat dhe përgjegjësitë qeverisëse.

Në reagimin e saj, Selmani vlerëson se VLEN, ndonëse e ndërtoi identitetin mbi kritikat ndaj praktikave të vjetra politike, sot po i riciklon ato pa asnjë distancë. Ajo kërkon që, nëse VLEN pretendon të jetë ndryshe, të distancohet qartë nga përzierja e funksionit shtetëror me propagandën mediatike, të sigurojë transparencë në financimin e mediave dhe të respektojë pluralizmin politik.

“Propaganda, pavarësisht se si etiketohet, mbetet propagandë. Dhe kur vjen nga ata që premtuan reformë dhe ndryshim, zhgënjimi është edhe më i madh”, përfundon Selmani.

Back To Top