Ndërron jetë Hazbi Topojani – profesor, arsimtar dhe aktivist i dalluar i çështjes kombëtare
Me dhimbje të thellë është pranuar lajmi për ndarjen nga jeta të profesorit dhe arsimtarit të përkushtuar, Hazbi Topojani, një emër i respektuar dhe i njohur për kontributin e tij në arsim dhe në çështjen kombëtare.
I lindur dhe i rritur në Shkup, në lagjen Serovë, ai ia kushtoi jetën edukimit të brezave të rinj dhe angazhimit të palodhshëm në shërbim të shoqërisë dhe kombit. Për vite me radhë, Topojani ishte shembull i intelektualit të përkushtuar, duke lënë gjurmë të thella në arsimin shqip dhe në vetëdijen kombëtare.
Ai njihej për integritetin, urtësinë dhe zërin e tij të fortë në mbrojtje të vlerave kombëtare, duke qenë gjithmonë pranë popullit dhe çështjeve që e preknin atë.
Hazbi Topojani lë pas vetes tre fëmijë, familjen dhe shumë nxënës, kolegë e miq, të cilët do ta kujtojnë me respekt dhe mirënjohje të përhershme.
Humbja e tij është e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë shoqërinë. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë ndër breza.
