Ndizen zërat kritik brenda VLEN-it. Kush janë reformatorët?

Bilgin Hajredini me kritika të ashpra ndaj VLEN-it: “Strukturat e ngurta po e mbysin meritokracinë dhe po largohen nga populli”

Nga vizita e tij në Kinë, Bilgin Hajredini ka dërguar një mesazh të drejtëpërdrejtë dhe kritik ndaj koalicionit VLEN, duke përdorur si shembull funksionimin e sistemit politik kinez për të theksuar mangësitë e thella brenda strukturave vendore.

Sipas tij, ndërsa Kina ecën përpara falë një sistemi të organizuar dhe një ndarjeje të qartë të përgjegjësive, VLEN po shfaq të kundërtën: ngërç, grupime të privilegjuara dhe mungesë të njerëzve që punojnë realisht në terren.

Hajredini nënvizon se brenda VLEN-it janë krijuar “Princër” politikë – figura që sipas tij marrin pozita jo për meritë, por për afërsi klanore dhe trashëgimi politike. Ai e përshkruan këtë si arsye kryesore pse koalicioni po humb energjinë fillestare dhe po largohet nga premtimi për ndryshim.

Në analizën e tij, ai shton se Reformatorët që dikur sollën frymë të re “po zhduken nga skena”, ndërsa njerëzit e terrenit – të cilët ai i quan “Rinistët e vërtetë” – mbahen jashtë vendimmarrjes. Hajredini kritikon hapur edhe strukturat organizative të VLEN-it, të cilat, sipas tij, funksionojnë ngadalë dhe nuk prodhojnë rezultate.

“Nëse njeriu nuk punon – ndryshohet njeriu. Nëse sistemi nuk ecën – duhet ndryshuar sistemi,” deklaron ai, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë parim me gjendjen aktuale të VLEN-it.

Ai paralajmëron se çdo forcë politike që humb kontaktin me popullin është e destinuar të shuhet, ndërsa në VLEN, siç thotë ai, po mbizotërojnë njerëz që “nuk kanë lidhje me terrenin dhe nuk prodhojnë asnjë rezultat”.

Reflektimi i tij nga Kina shërben si një kritikë e qartë: VLEN duhet të reformohet në thelb, përndryshe – sipas Hajredinit – do të humbasë besimin dhe do të përfundojë njësoj si partitë që u “bënë zamet” përpara tij.

Back To Top