Nga krenaria e Çairit te lista e zezë – kush e shiti FC Shkupin dhe pse po shpërthen revolta e ‘Shvercerëve’?

FC Shkupi, klubi që për dekada ka qenë simbol i identitetit sportiv të Çairit, sot gjendet në gjendjen më poshtëruese të historisë së tij. Nga një emër që mbushte tribuna dhe rritej me breza tifozësh besnikë, klubi është shndërruar në një barrë financiare dhe institucionale: me gati një milion euro borxhe, i futur në listën e zezë të Federatës së Futbollit dhe pa asnjë perspektivë të qartë sportive.

Në qendër të skandalit është shitja 100% e aksioneve të klubit tek një biznesmen turk me prapavijë të paqartë, një marrëveshje e kryer nën patronazhin e komunës dhe njerëzve të afërt me Izet Mexhitin. Sot “pronari” është i zhdukur nga skena, klubi është i bllokuar, ndërsa Çairi ka mbetur pa krenarinë e tij të vetme sportive. Ndërkohë, objektet e stadiumit – dikur burim të ardhurash për klubin – janë shndërruar në kazino dhe lokale, ndërsa askush nuk di ku përfunduan paratë dhe kush përfitoi realisht nga ky “biznes”.

Tifozët legjendarë të Shkupit, “Shvercerat”, nuk e pranojnë më heshtjen. Për ta, kjo nuk është thjesht një çështje sportive, por një grabitje e identitetit të Çairit. Ata kanë paralajmëruar se, nëse komuna – si ish-pronare dhe aktore kyçe në këtë proces – nuk ndërhyn urgjentisht për të shpëtuar klubin, protestat do të zhvendosen direkt para Izet Mexhitit. Kërkesa e tyre është e thjeshtë: transparencë për marrëveshjen sekrete me blerësit turq, llogari për borxhet milionëshe dhe kthim i FC Shkupit te komuniteti që e krijoi.

Historia e FC Shkupit sot është historia e një qyteti që po i humbet simbolet e tij një nga një. Dhe këtë herë, zëri i tribunave po kthehet në zë proteste. Çairi po kërkon përgjigje. Dhe ato nuk mund të vonohen më.

Back To Top