Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, ka pranuar se Korridori 8 do të devijohet, duke theksuar qartë se shteti nuk mund të rrezikojë statusin në UNESCO.
“S’mund ta rrezikojmë UNESCO-n”, deklaroi Nikollovski, duke bërë të ditur se rekomandimet ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisit në zonën Trebenishtë–Qafë Thanë e bëjnë të pamundur vazhdimin e projektit sipas planit aktual.
Me këtë deklaratë, ministri në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon devijimin e trasës, duke rrëzuar pretendimet e VLEN se projekti do të vazhdonte pa ndryshime. Narrativa për “vazhdim” tashmë bie ndesh me realitetin e konfirmuar nga vetë kreu i Transportit.
Nikollovski shtoi se po kërkohet një zgjidhje e re që do të jetë në përputhje me kërkesat e UNESCO-s, por edhe do të përmirësojë lidhjet infrastrukturore, përfshirë Strugën dhe aeroportin e Ohrit. Sipas tij, projekti i mëparshëm kishte mangësi serioze dhe nuk ofronte lidhje funksionale për rajonin.
Në këtë situatë, devijimi i Korridorit 8 duket i pashmangshëm, ndërsa deklaratat e fundit hedhin poshtë çdo pretendim politik për vazhdim të projektit në formën ekzistuese.
