Një master-dështim në vend të master-planit për Çairin

Gjatë fushatës zgjedhore të tetorit të kaluar, kryetari aktual i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, premtoi hartimin dhe zbatimin e një master-plani gjithëpërfshirës për zhvillimin urban të Çairit. Ky premtim u prezantua si themeli i një epoke të re për komunën.

Sot, disa muaj më vonë, rezulton se në vend të një dokumenti serioz urbanistik, qytetarëve iu servir një shfaqje e pastër propagandistike.

Me pompozitet mediatik u soll një i ashtuquajtur “arkitekt turk”, i shoqëruar me defilé publik, prezantime formale dhe harta të mëdha që krijonin iluzionin e një projekti madhor zhvillimor. Por e vërteta doli shpejt në pah.

Sipas të dhënave të verifikuara, personi i prezantuar si arkitekt i master-planit nuk është autor i asnjë master-plani strategjik. Përkundrazi, bëhet fjalë për një ish-zëvendësshef të urbanizmit në një komunë në Turqi, i cili kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i tij.

Premtimi kryesor i fushatës u shndërrua në një dështim total.

Sot:

nuk ekziston asnjë master-plan zyrtar, nuk ka dokument publik, nuk ka vizion afatgjatë, nuk ka planifikim serioz urban për Çairin.

Pa master-plan, ndërtimi vazhdon në mënyrë kaotike.

Pa master-plan, interesat private dominojnë mbi interesin publik.

Pa master-plan, Çairi mbetet peng i improvizimeve ditore dhe vendimeve ad-hoc.

Qytetarëve iu premtua zhvillim i qëndrueshëm, por iu ofrua vetëm marketing politik.

Prandaj, pyetjet janë të drejtpërdrejta dhe legjitime:

Ku është master-plani i premtuar? Ku është dokumenti që duhej të udhëhiqte zhvillimin urban të Çairit? Kush mban përgjegjësi për këtë mashtrim publik?

Çairi nuk ka nevojë për defilé, por për plane reale.

Çairi nuk ka nevojë për shfaqje, por për urbanizëm serioz dhe transparent.

E vërteta është e thjeshtë:

Master-plani, i promovuar me bujë dhe harta të mëdha tre muaj më parë, nuk ekziston.

Ajo që ekziston është vetëm një master-dështim.

Sipas burimeve, përfituesi i vetëm i kësaj historie mbetet ish-zëvendësshefi i urbanizmit nga Turqia, i cili në këtë proces ka përfituar shtetësinë e Maqedonisë së Veriut me procedurë të përshpejtuar.

Back To Top