Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka kërkuar sqarim publik nga Qeveria për emërimin e Dushan Adamoviq si konsull nderi i Maqedonisë së Veriut në Serbi, me seli në Pançevë.
Sipas zëdhënëses Bogdanka Kuzeska, autoritetet serbe tashmë i kanë dorëzuar egzekuaturën, ndërsa LSDM shpreh shqetësim për qëndrime të mëhershme të Adamoviqit në rrjetet sociale, ku është përdorur termi “Maqedonia serbe”, si dhe për lidhje të mundshme me Partinë Progresive Serbe, partia e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Partia opozitare gjithashtu i referohet raportimeve mediatike në Serbi dhe akuzave të bëra në vitin 2019 nga ish-zyrtari serb Zoran Zhivkoviç. LSDM kërkon të dijë nëse janë kryer verifikime nga shërbimet e sigurisë dhe nëse kryeministri Hristijan Mickoski ka pasur rol në përzgjedhjen e tij, duke kërkuar përgjigje të qarta për këtë emërim.
