Nuk ju mjaftonte “bota serbe” – tani VLEN hap dyert edhe për “botën ruse”
Takimi i kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, me ambasadorin rus Sergey Bazdnikin, ka hapur një valë të re reagimesh në opinion. Ndërsa qytetarëve u premtohej “orientim euro-atlantik” dhe shkëputje nga ndikimet e dyshimta politike, pamjet e publikuara së fundi tregojnë një realitet krejt tjetër: afrimi i radhës me një shtet që është në konflikt të hapur me linjat strategjike të Perëndimit.
Në komunikatën zyrtare të komunës thuhet se bashkëpunimi shumëvjeçar me Rusinë ka qenë i “sukesshëm” dhe se priten projekte të reja. Por pikërisht këto deklarata e vënë VLEN-in përballë pyetjeve serioze:
Si mund të flitet për integrime perëndimore, ndërkohë që kultivohen lidhje të reja me Moskën?
Si justifikohet ky orientim politik, në një kohë kur vendi ka nevojë për stabilitet dhe qartësi strategjike?
Për shumë qytetarë shqiptarë, kjo nuk është thjesht një vizitë protokollare. Është sinjal i qartë se VLEN vazhdon të lëvizë në orbitat e ndikimeve të jashtme—fillimisht me “botën serbe”, tani me “botën ruse”. Një rrugë që bie ndesh me interesin e shqiptarëve dhe me pritshmëritë që u vendosën në zgjedhje.
Ndërkohë që situata gjeopolitike në rajon përshkallëzohet dhe vendet e NATO-s kërkojnë forcimin e sigurisë, VLEN duket se po ecën në drejtimin e kundërt, duke u shfaqur si portë e hapur për axhenda që nuk i shërbejnë stabilitetit të vendit.
A është ky ndryshimi që iu premtoi qytetarëve?
Apo vetëm kapitulli i radhës në orientimin e paqartë politik të koalicionit?
