“O sot, o kurrë — Kërçova kërkon bijtë e saj!”
Ramiz Lladrovci ka reaguar për balotazhin e 2 nëntorit në Komunën e Kërçovës, duke e quajtur këtë moment vendimtar për të ardhmen e shqiptarëve në këtë komunë simbolike.
Ai thekson se Kërçova, vendlindja e Ali Ahmetit, është komunë e lënduar nga mërgimi dhe mungesa e mbështetjes nga niveli qendror, dhe sipas tij, ka ardhur koha për të treguar forcën dhe unitetin politik shqiptar.
“Bashkimi rreth Fatmir Deharit është më shumë se zgjedhje politike — është përgjegjësi historike. Kjo nuk është thjesht garë për një komunë, por një betejë simbolike mes vizionit të Ali Ahmetit dhe qasjes së Hristijan Mickoskit,” shkruan Lladrovci.
Ai nënvizon se Kërçova ka potencial për ta fituar këtë sfidë nëse gjithë faktori shqiptar qëndron i bashkuar dhe angazhohet maksimalisht, përfshirë edhe mërgatën.
“Është momenti ‘o sot, o kurrë’. Kërçova pret angazhimin e secilit. Dilni zot vendlindjes tuaj!” – shton Ramiz Lladrovci
