Osmani: Komisioni i Venecias konfirmon se problemi i ligjit për përfaqësim është mungesa e mekanizmave, jo parimi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj vlerësimeve të Komisionit të Venecias për projektligjin e ri, duke theksuar se qëndrimet që ai ka shprehur ditët e fundit tashmë janë konfirmuar qartë edhe nga ky institucion ndërkombëtar.

Sipas Osmanit, problemi kryesor i projektligjit nuk qëndron te parimi i përfaqësimit të drejtë, por te fakti se ligji është i zbrazët dhe nuk ofron zgjidhje konkrete për zbatimin praktik. Ai citon Komisionin e Venecias, i cili thekson se “problemi kryesor i projektligjit është se ai mbetet shumë i përgjithshëm dhe nuk e zgjidh pyetjen se si funksionon në praktikë procesi i punësimit”.

“Në thelb, kemi të bëjmë me një ligj me fjali të bukura, por pa mekanizëm real”, ka deklaruar Osmani.

Ai shton se Komisioni hedh poshtë edhe tezën e Qeverisë se përfaqësimi i drejtë rrezikon meritokracinë. Përkundrazi, sipas vlerësimit të Komisionit, përfaqësimi i drejtë dhe rekrutimi mbi bazë merite nuk janë koncepte kundërthënëse, por duhet të balancohen me kujdes.

“Objektivat e përfaqësimit të drejtë dhe rekrutimit mbi bazë merite nuk janë kundërthënëse dhe duhet të balancohen me kujdes”, citohet Komisioni i Venecias.

Osmani rikujton se mekanizmi i Balancuesit nuk e anashkalonte meritën, pasi kandidatët kalonin nëpër procedura profesionale, ndërsa Balancuesi shërbente vetëm për të garantuar përfshirje institucionale.

Sipas tij, çështja e përfaqësimit nuk është as emocionale dhe as etnike, por lidhet drejtpërdrejt me funksionalitetin e shtetit. Në këtë kontekst, ai nënvizon edhe vlerësimin e Komisionit të Venecias se “pjesëmarrja efektive e komuniteteve është thelbësore për kohezionin shoqëror dhe për një shoqëri vërtet demokratike”.

“Nuk bëhet fjalë për dallime politike, por për funksionalitetin e demokracisë multietnike”, përfundon Osmani.

Back To Top