Gjatë qëndrimit në Uashington, Osmani zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme në Capitol Hill me kongresmenë amerikanë, ku ngriti shqetësimin për zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut dhe pasojat e tyre për stabilitetin e vendit dhe të rajonit.
Në takimet me kongresistët Pete Sessions nga Teksasi, Claudia Tenney nga Nju Jorku – anëtare e Komisionit për Inteligjencë – si dhe me Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, Osmani paraqiti një mesazh të qartë dhe të unifikuar: bllokimi i rrugës evropiane të RMV-së, paqartësia strategjike dhe përpjekjet për të cenuar marrëveshjet e paqes përbëjnë rrezik serioz për të ardhmen e vendit.
Ai theksoi se këto zhvillime nuk janë vetëm çështje të brendshme, por ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal dhe në investimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara në paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Osmani kërkoi angazhim dhe vëmendje më të madhe nga SHBA-ja, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së vizionit të përbashkët euroatlantik dhe të ruajtjes së arritjeve të deritanishme në ndërtimin e paqes dhe demokracisë në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, mbështetja amerikane mbetet kyçe për garantimin e stabilitetit, përparimit demokratik dhe perspektivës evropiane të vendit, në një kohë kur këto vlera po vihen seriozisht në provë.
