Ish-zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ajo e cilëson si përjashtim sistematik të shqiptarëve nga strukturat kyçe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe përfaqësimi ndërkombëtar i vendit. Sipas saj, zhvillimet e fundit dëshmojnë një prirje të rrezikshme dhe të përsëritur, që cenon balancën etnike dhe besimin në institucione.
Ismaili thekson se në kursin e fundit për oficerë janë përzgjedhur 16 kandidatë, të gjithë maqedonas, pa asnjë përfaqësues shqiptar. Ajo e cilëson këtë si një rast flagrant që nuk mund të arsyetohet me meritokraci, por që sipas saj dëshmon një qasje të qëllimshme përjashtuese.
Sipas reagimit të saj, i njëjti model po vazhdon edhe në përfaqësimet diplomatike ushtarake. Në misionin pranë NATO-s në Bruksel nuk ka asnjë shqiptar, ndërsa në ambasadat në Berlin dhe Ankara, përfaqësues shqiptarë janë zëvendësuar me kandidatë të nacionaliteteve të tjera.
“Kjo nuk është rastësi, por një qasje sistematike që po vazhdon”, thekson Ismaili, duke shtuar se kjo situatë përbën shkelje të parimeve të barazisë dhe bashkëjetesës në një shtet multietnik.
Ajo paralajmëron se përjashtimi i vazhdueshëm i shqiptarëve nga institucionet kyçe përbën diskriminim të maskuar dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht besimin e qytetarëve ndaj shtetit. Sipas saj, këto veprime nuk janë vetëm simbolike, por ndikojnë drejtpërdrejt në ndjenjën e përkatësisë dhe stabilitetin shoqëror.
Në fund, Ismaili kritikon ashpër edhe subjektin politik VLEN, duke e akuzuar për heshtje dhe mungesë reagimi ndaj kësaj situate. Ajo vlerëson se kjo heshtje po shndërrohet në bashkëpërgjegjësi dhe kërkon përgjegjësi të menjëhershme.
“Kërkojmë përfaqësim të drejtë dhe institucione që reflektojnë realitetin multietnik të vendit. Koha për reflektim ka kaluar – tani është koha për veprim”, përfundon reagimi i saj.
