Përplasje mes Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike
Lagjja më e madhe e Shkupit, Serova, me mbi 20 mijë banorë, ka hyrë në ditën e tretë pa energji elektrike. Në temperaturat e ulëta që po mbizotërojnë, ndërprerja e rrymës po konsiderohet nga banorët dhe aktivistët si një veprim i papranueshëm dhe i rrezikshëm.
Banorët e Serovës janë shprehur haptazi se janë plotësisht pro digjitalizimit dhe të gatshëm për ta paguar energjinë elektrike, por kërkojnë vetëm kushte të përshtatshme për vendosjen e kutive elektrike, kërkesë që sipas tyre po injorohet.
Në një reagim publik, aktivisti i Lëvizjes Demokratike dhe ish-ushtar i UÇK-së, Xhem Baruti Lamallari, ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj Ministrisë së Ekonomisë, e cila udhëhiqet nga një kuadër shqiptar. Ai ka bërë thirrje që ministri të ndërhyjë urgjentisht pranë kompanisë EVN, përpara se situata të përshkallëzohet më tej.
Sipas tij, në Serovë ka të moshuar, persona të sëmurë, qytetarë që janë në dializë si dhe fëmijë, të cilët po përballen me kushte ekstreme për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Lamallari e ka cilësuar heshtjen e institucioneve si të papranueshme, duke e përshkruar situatën me fjalët: “Shtet muti”.
Ky reagim shihet si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, kuadër i Lëvizjes Besa, duke thelluar edhe më tej përplasjet politike mes Lëvizjes Demokratike dhe Lëvizjes Besa.
