Shqetësimet e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe kanë tejkaluar kufijtë e debateve akademike dhe kanë arritur deri në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Shkup. Megjithatë, përballë një baze të qartë ligjore, institucionet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të zvarrisin çështjen, duke zgjedhur heshtjen dhe shmangien e përgjegjësisë.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka bërë të ditur se kjo çështje është adresuar në instancat relevante, duke theksuar se kërkesa e studentëve për qasje të barabartë në arsim dhe në proceset profesionale nuk është kërkesë politike, por e drejtë e garantuar me ligj. Megjithatë, pavarësisht kësaj ndërhyrjeje diplomatike, reagimi institucional mbetet i vakët dhe pa rezultate konkrete.
Së fundmi, 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike (UT, UEJL dhe UNT) kanë dorëzuar një peticion zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Kryetarin e Kuvendit dhe zëvendëskryeministrin e parë. Kërkesa e tyre është e qartë: provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën ata kanë kryer studimet dhe që u takon me ligj.
Nga Qeveria është konfirmuar se kërkesa është pranuar, por pa asnjë afat, plan apo angazhim konkret. Edhe Kryetari i Kuvendit e ka përcjellë çështjen në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa kjo e fundit pranon se e ka marrë peticionin, por “do të njoftojë më vonë”. Një formulë e njohur për të shtyrë pafund një të drejtë ligjore.
Ironikisht, një propozim-ligj që do ta zgjidhte këtë çështje kishte qenë gati që në vitin 2024, por me ndërrimin e përbërjes parlamentare dhe ardhjen e qeverisë së re, ai u hoq nga agjenda dhe u zhduk nga diskursi institucional, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston asnjë nen që e kufizon këtë provim vetëm në gjuhën maqedonase. Për më tepër, neni 2 dhe neni 5 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve obligojnë institucionet shtetërore të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha procedurat, duke qenë se ajo flitet nga mbi 20% e qytetarëve.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve është në fuqi që nga viti 2019. Që nga ajo kohë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, por asnjëri nuk e ka zgjidhur këtë shkelje të qartë ligjore. Kjo e bën të qartë se problemi nuk është ligji, por mungesa e vullnetit politik dhe institucionet që zgjedhin të mos veprojnë.
Nëse ligjet vlejnë vetëm në letër dhe jo në praktikë, atëherë përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi institucionet që i zbatojnë selektivisht. Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegj — po kërkojnë atë që u takon me ligj, ndërsa shteti po dështon t’ua garantojë.
Burimi: ontarget.mk
