Policia fton në bisedë informative organizatorin e protestës studentore

Aktivisti dhe njëri nga organizatorët e protestave të studentëve të Jurisprudencës, Mevlan Ademi, është ftuar nga policia për të dhënë deklaratë lidhur me organizimin e protestës së paralajmëruar për të hënën. Ftesa vjen pasi paraprakisht në stacion policor është marrë në pyetje edhe bashkëorganizatori tjetër, Jon Selimi.

Sipas Ademit, kolegu i tij është mbajtur për një kohë në stacion, ku është pyetur rreth detajeve të protestës, përfshirë organizimin, përdorimin e megafonëve dhe pankartave, si dhe rrjedhën e përgjithshme të tubimit. Ndërkohë, ai thekson se edhe vetë është ftuar për të dhënë sqarime mbi mbarëvajtjen e protestës.

“Pas njoftimit për protestën e së hënës, policia nisi të interesohet për detajet organizative. Kolegu im Jon Selimi u mor në pyetje, ndërsa më pas edhe unë u ftova që të paraqitem në stacion dhe t’u përgjigjem pyetjeve të tyre. Mbetet të shihet se çfarë konkretisht do të kërkojnë,” deklaroi Ademi para hyrjes në stacionin policor në Bit Pazar.

Protesta e paralajmëruar nga studentët pritet të mbahet ditën e hënë, ndërsa organizatorët thonë se qëllimi i saj është të shprehë pakënaqësitë dhe kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në fakultet.

Back To Top