Postimi në Facebook i vëllait të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme nga VLEN është ndoshta pasqyra më e sinqertë e gjendjes brenda koalicionit. Pa e kuptuar, ai përshkruan një realitet të zymtë: sherre mes partnerëve, mungesë kontrolli dhe një mënyrë qeverisjeje që ngjan më shumë me improvizim sesa me drejtim shteti.
Në tekst flitet hapur për poste që “bien me short”, për vende që mbahen peng me muaj dhe për pazare të brendshme se kujt i takon cili qytet apo sektor. Vetë autori pranon se partnerët e koalicionit nuk merren vesh, nuk kanë zgjidhje dhe për këtë arsye bllokojnë institucionet. E gjithë kjo thuhet për të justifikuar situatën e zëvendësministrit – dhe pikërisht aty qëndron problemi.
Ajo që del nga ky postim është një VLEN i çoroditur, i përfshirë në grindje të vogla dhe i paaftë të marrë vendime. Policia, një nga shtyllat kryesore të shtetit, shfaqet si fushë beteje mes partive, ku postet nuk plotësohen sepse dikush po pret, dikush po bllokon dhe dikush tjetër po llogarit.
Ky nuk është rrëfim opozitar. Është përshkrim nga brenda. Dhe kur një familjar i zyrtarit del publikisht për ta sqaruar gjendjen, në fakt vetëm sa e bën edhe më të qartë sa thellë ka hyrë kaosi në VLEN.
