Punonjësit e Postës së Maqedonisë sot kanë dalë në protestë në të gjithë vendin, pasi edhe pse është 23 janar, paga e tyre ende nuk është paguar.
Kryetari i Sindikatës në Postën e Maqedonisë, së bashku me punonjësit, deklaroi se protestat do të vazhdojnë deri në momentin kur paga të jetë e ekzekutuar. Ai paralajmëroi gjithashtu se menaxhmenti do të njoftohet se, nëse paga e radhës nuk paguhet deri më 15 të muajit, protestat do të nisin menjëherë, ndërsa nuk përjashtohet as shpallja e grevës së përgjithshme.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, theksoi se “nuk ka punë pa pagë” dhe se, sipas tij, persona të afërt me udhëheqësinë e Postës kanë ushtruar presion dhe kanë kërcënuar punonjësit që të mos marrin pjesë në protesta.
Punonjësit ankohen se punojnë në kushte tejet të rënda, në ambiente me çati azbesti, pa ngrohje dhe pa kushte minimale për punë. Sipas pamjeve të publikuara nga media, kushtet në objektet e Postës janë më shumë se katastrofale.
Protestat nuk po zhvillohen vetëm në Shkup. Punonjësit e Postës në të gjitha qytetet e vendit janë mbledhur para objekteve të Postës së Maqedonisë, duke protestuar për realizimin e së drejtës së tyre për pagë.
