Sulmet e fundit ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, nga disa media shqiptare në Maqedoninë e Veriut, hapin debate e dyshime serioze mbi qëllimin e raportimit të tyre. Në vend që të ushtrojnë rolin kritik ndaj pushtetit kur cënohen të drejtat kolektive të shqiptarëve, këto media kanë zgjedhur të fokusohen në goditjen e një përfaqësuesi diplomatik të Tiranës. Pyetja është e thjeshtë: pse tani dhe pse kështu?
Në momentet kur janë raportuar raste diskriminimi, degradimi institucional apo nënvlerësimi i përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, zëri i këtyre mediave ka qenë dukshëm më i zbehtë. Edhe ndaj qëndrimeve dhe politikave të kryeministrit Hristijan Mickoski, që shpesh janë perceptuar si minimizuese ndaj rolit të faktorëve shqiptarë, nuk është parë e njëjta ashpërsi reagimi.
Po ashtu, në kohën kur çështja e përdorimit dhe statusit të gjuhës shqipe është bërë temë shqetësuese në diskursin publik, nuk kemi parë një mobilizim të ngjashëm mediatik. Heshtje relative është vërejtur edhe ndaj figurave si zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviç, me prejardhje serbe dhe publikisht i deklaruruar për botën serbe.
Kjo sjellje selektive ngre një dilemë thelbësore: çfarë kanë këto media me Tiranën? Pse shqetëson një prani më e dukshme dhe më aktive e shtetit shqiptar në raport me bashkëkombasit e tij?
A është problem “dora e zgjatur” e Tiranës, apo fakti që kjo prani prish ekuilibra të caktuar politik?
Në një rajon ku ndikimi i botës serbe është i dokumentuar dhe shpesh i institucionalizuar, është legjitime të pyesim pse standardi i reagimit nuk është i njëjtë për të gjithë.
