Nëse në prapaskena nuk la mjet pa përdorur vetëm e vetëm që ta ndihmonte VMRO-DPMNE-në, VLEN-i nuk pati këllqe për të kremtuar bashkë me maqedonët fitoren në Kërçovë. Prej vitesh, vëmëroistët e thanë zëshëm se nuk do ta linin Kërçovën të bëhej ‘Shqipëri’. Dhe këtë e arritën falë afro dy mijë votave shqiptare të cilat e përcaktuan vendimtarisht fitoren e Aleksandar Jovanovskit në Kërçovë. VLEN-i e bëri fli edhe një komunë tjetër shqiptare, si Bërvenicën, duke mos e përkrahur kandidatin e vet që humbi për 150 vota përballë rivalit maqedonas.
Col Mehmeti
3 nëntor 2025 – Kur Nikolla Gruevski më 2013 uluronte në mitingje “Kičevo bilo i ke ostane Republika Makedonija”, pak vetë nga rrethi i tij mbanin shpresë se Kërçova do të mbetej në duart maqedone.
Askujt nuk do t’i ketë shkuar ndërmend që dymbëdhjetë më vonë votat shqiptare do t’i hapnin kanatat e portave për ardhjen e një VMRO-DPMNE-je të ngjallur.
Ligji i Murphyt se “çdo gjë që mund të shkojë mbrapsht do të shkojë mbrapsht” u zbatua pikëpërpikë në Kërçovë.
Mijëra votues nga mërgata shqiptare nuk mjaftuan që të sprapsej përpjekja e gjithë qeverisë së Hristijan Mickoskit për rimarrjen me çdo çmim të komunës së Kërçovës.
Në balotazh ku lufta etnike ka trajtën e një gare zgjedhore, kandidati i VMRO-DPMNE, Aleksandar Jovanovski doli i fituar me 14,228 vota ose 52,09% kundrejt Fatmir Deharit të koalicionit ‘Aleanca Kombëtare për Integrim’ që mori 12,208 vota ose 44,70%.
VLEN-i e përmbushi ëndrrën e vjetër të Gruevskit
VLEN-i nuk e luajti qerpikun nga revanshi pasi kandidati i saj, Fatmir Limani, në rrethin e parë të votimeve mori vetëm 4,164 vota ndër kërçovarë.
Nëse jo en masse, së paku nja dy mijë vota të VLEN-istëve janë zhvendosur e kanë kaluar në llogari të kandidatit maqedon.
Le të bëjmë një zhbirim mes numrash.
Në vitin 2021, Jovanovski mori 10,812 vota ose 44,82% përballë kandidatit shqiptar me 12,923 vota ose 53.57%.
Nëse tani Dehari pothuajse pati të njëjtën sasi votash, rivali i tij maqedon pati një rritje të pabesueshme prej 30 për qind në krahasim me rezultatin e korrur katër vite më parë.
Nga 2013-a e këndej, gara për komunën ka qenë më fort etnike sesa politike, dhe e tillë afërmendsh që ishte edhe sivjet.
Kjo përqindje e papritur për kandidatin maqedon nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse nga lëvizja e një porcioni strategjik të votës shqiptare në drejtim të kandidatit vëmëroist.
Ajo që në gjuhën e kriminalistikës detektive quhet smoking gun (copë dëshmie e papërgënjeshtrueshme), në realitetet kërçovare ishte vetëm hakmarrja e Fatmir Limanit dhe votuesve të tij VLEN-istë – ndryshe nuk shpjegohet zhvendosja e mbi 2 mijë votave shqiptare.
