Rexhepi : Diskursi i VMRO-DPMNE deri sa ishte në opozitë: Shqiptarët “kanë marrë më shumë se sa u takojnë”
VMRO-DPMNE erdhi në pushtet me një diskurs se shqiptarët kanë marrë më shumë se sa u takon. Derisa ishte në opozitë, në pothuajse çdo takim formal dhe joformal me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, përsëritej narrativa se të arriturat e shqiptarëve janë tejkaluar dhe se balanca ndëretnike është prishur. Njëkohësisht, me të njëjtin diskurs helmohej elektorati maqedon, duke u nxitur ndarje dhe tension në vend.
Ky mesazh, i artikuluar jo gjithmonë publikisht, por në komunikim politik e diplomatik, synonte të krijonte perceptimin se barazia e arritur ndër vite është e tepërt. Një qasje e tillë jo vetëm që relativizon të drejtat e fituara, por tenton të kthejë pas proceset që kanë ndërtuar karakterin multietnik të shtetit.
Kur barazia paraqitet si “teprim”, atëherë problemi nuk janë të drejtat e shqiptarëve, por vetë pranimi i barazisë si standard demokratik. Ky diskurs nuk ndërton besim, por prodhon ndarje, dhe ndarja nuk sjell stabilitet, por tension.
Bekim Rexhepi
