Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, deklaroi nga Prilepi se procesi i anëtarësimit në BE është qartë i përcaktuar me traktatet ekzistuese të Unionit dhe se nuk ekziston mundësia që një vend i ri anëtar të privohet nga e drejta e votës apo veto-s.
Ai theksoi se çdo kufizim i tillë do të nënkuptonte ndryshim të traktateve themelore të Bashkimit Evropian, gjë që kërkon njëzëri nga të gjitha shtetet anëtare.
“Procesi i anëtarësimit në BE është i përcaktuar me traktatet e Bashkimit Evropian. Në ato traktate nuk ka dispozitë që do të parashikonte, për shembull, që në fazën e dytë një vend që ka përmbushur kushtet për anëtarësim të mos ketë të drejtë vote apo të drejtë vetoje”, theksoi Rokas.
Deklarata e tij praktikisht hedh poshtë tezat e paraqitura në opinion nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë që vendet kandidate të hyjnë në BE pa pjesëmarrje të plotë në vendimmarrje.
