Sabotohen fluturimet çarter me votues shqiptarë nga diaspora

Shkup, 30 tetor – Burime të besueshme informojnë se Drejtoria e Aviacionit Civil (DAC) po vonon dhënien e lejeve të aterimit për aeroplanët çarter që pritet të mbërrijnë nesër dhe të shtunën në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, me pasagjerë kryesisht shqiptarë nga diaspora të cilët synojnë të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas të njëjtave burime, drejtori i DAC-së, Dragi Stojanovski – i lidhur me VMRO-DPMNE-në – po zvarrit përgjigjet për kërkesat e agjencive turistike që kanë planifikuar fluturime çarter nga Zvicra, Gjermania, Italia dhe vende të tjera evropiane. Edhe pse kërkesat janë dorëzuar sipas rregullave dhe në afat, përgjigjet zyrtare ende mungojnë.

“Fluturimet janë kryesisht me votues shqiptarë nga diaspora që synojnë të votojnë në Bërvenicë, Kërçovë dhe Strugë. Biletat janë blerë dhe udhëtarët po presin konfirmimet, por procedurat po zvarriten”, kanë thënë disa përfaqësues të diasporës.

Burimet theksojnë se këto vonesa dyshohet të jenë të qëllimshme dhe lidhen me përpjekje për të penguar ardhjen e votuesve shqiptarë, të cilët në raundin e parë të zgjedhjeve patën ndikim të konsiderueshëm në disa komuna me shumicë shqiptare.

Deri tani, nga Drejtoria e Aviacionit Civil nuk ka asnjë reagim zyrtar mbi këto pretendime. Situata pritet të sqarohet në orët në vijim, pasi shumica e fluturimeve janë të planifikuara të mbërrijnë të premten dhe të shtunën — vetëm një ditë para votimit.

Back To Top