Salih Murat zhvilloi sot një takim konstruktiv dhe përmbajtësor me liderin e Frontit Evropian, Ali Ahmeti, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet aktuale politike dhe perspektivën evropiane të vendit.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u ndalën në punën parlamentare dhe sfidat institucionale me të cilat përballet vendi, duke theksuar nevojën për forcimin e sundimit të ligjit, respektimin e parimit të barazisë dhe garantimin e përfaqësimit të drejtë për të gjitha komunitetet. Në fokus të diskutimit ishin gjithashtu marrëdhëniet ndërkomunitetare, përdorimi i gjuhëve dhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit politik.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua politikave ekonomike dhe ndikimit të tyre në standardin e jetesës së qytetarëve, si dhe procesit të integrimit evropian, i cili u vlerësua si prioritet strategjik për të ardhmen e vendit.
Në vijim të takimit, diskutimit iu bashkua edhe ish-Ministri i Drejtësisë dhe deputeti Blerim Bejxheti, me të cilin u zhvillua një shkëmbim i gjerë mendimesh mbi reformën në drejtësi dhe modelin e një njësie të vetme zgjedhore, si mundësi për avancimin e sistemit zgjedhor dhe rritjen e përfaqësimit të barabartë.
Salih Murat shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe gatishmërinë për dialog, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik në funksion të reformave dhe të ardhmes evropiane të vendit.
