Sefer Selimi: VLEN nuk është parti, por një “Frankenstein politik” i imponuar nga interesi
Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar ndaj debateve të fundit për shndërrimin e koalicionit VLEN në një parti të vetme politike, pas publikimit të një dokumenti nga portali TetovaSot, i cili sipas informatave është përpiluar nga Zeqirja Ibrahimi.
Selimi thekson se partitë politike duhet të funksionojnë si organizata kolektive, ku ambiciet individuale harmonizohen me interesin e përgjithshëm. Megjithatë, sipas tij, VLEN nuk përfaqëson një strukturë të tillë funksionale.
“VLEN është një konglomerat interesash individuale dhe kolektivitetesh të ndryshme, një mishmash ideologjish dhe njëkohësisht mungesë e tyre. Është një bashkim i imponuar nga zori dhe interesi – një ‘Frankenstein politik’ i importuar nga jashtë”, ka shkruar Selimi.
Sipas analistit, edhe nëse ndodh një shkrirje formale e subjekteve brenda VLEN-it në një parti të vetme, ajo nuk do të jetë reale, por vetëm një “ngrirje e përkohshme për mbijetesë”, e cila do të zgjasë deri në ciklin e ardhshëm politik që pritet pas Vitit të Ri.
Në fund të reagimit të tij, Selimi shtron një pyetje provokuese për vetë kuptimin politik të këtij formacioni:
“Po t’ia heqësh BDI-në dhe VMRO-në, çfarë kuptimi ka VLEN?”, pyet Sefer Selimi.
