SHOKUESE: Janë gjetur 350.000 euro të fshehura në mur në shtëpinë e një gjyqtari
Në kuadër të një hetimi të gjerë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i iniciuar pasi më 14 dhjetor u dyshua një avokat për veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, po ndërmerren vazhdimisht veprime intensive hetimore që kanë rezultuar me zgjerimin e procedurës edhe ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Apelit në Shkup.
Gjyqtari dyshohet për veprën penale “Përfitim dhe fshehje e paligjshme e pasurisë”, për të cilën ekzistojnë dyshime se është siguruar, ndër të tjera, përmes akteve të korrupsionit dhe tregtisë me ndikim.
Kontrollet dhe veprimet e tjera hetimore vazhdojnë, ndërsa publiku do të informohet për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.
Bëhet fjalë për një nga hetimet më të gjera deri më tani për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë në vend, e cila mbështetet me informacione dhe raporte nga Agjencia për Siguri Kombëtare.
Veprimet e koordinuara nga prokurori publik po realizohen nga pjesëtarë të Departamentit për Luftë Kundër Krimit të Organizuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policia Financiare, përkushtimi dhe integriteti profesional i të cilëve ka kontribuar në zbulimin e suksesshëm dhe sigurimin e provave për një nga format më serioze dhe më komplekse të kriminalitetit.
