Shteti në krizë ekonomike, por “problemi” shihet te shqipja!

“Kjo qeveri si gjitha qeveritë, përveç qeverise 2016-2024, e kanë ushqyer elektoratin e tyre me temën e quajtur përçarje etnike dhe shkelje e të drejtave të shqiptarëve, sepse elektoratit më tepër ju ka interesuar shkelja e shqiptarëve se sa xhepi i tyre dhe kjo është e dhimbshme. Nuk është në rregull që në gjithë këtë krizë të rëndë ekonomike dhe sociale ne të merremi çdo ditë me tema etnike”, theksoi Rexhepi

Ersan PAJAZITI

Shkup, 26 mars – Në një kohë kur vendi përballet me sfida të thella ekonomike dhe energjetike, debati politik në Kuvend është rikthyer sërish te çështjet etnike dhe përdorimi i gjuhës shqipe. Përplasja e fundit mes deputetit Skender Rexhepi dhe kryeministrit Hristijan Mickoski ka nxjerrë në pah jo vetëm dallimet politike, por edhe një hendek të thellë në perceptimin e prioriteteve shtetërore.

Gjatë seancës plenare me pyetje deputetësh, Rexhepi ngriti shqetësimin se në vend që institucionet të fokusohen në zgjidhjen e krizës ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies sociale, diskursi publik po dominohet nga tema që, sipas tij, ushqejnë përçarjen ndëretnike. Ai akuzoi qeveritë, ndër vite, se kanë përdorur çështjet etnike për të mobilizuar elektoratin, duke lënë në hije problemet reale të qytetarëve. “Kjo qeveri si gjitha qeveritë, përveç qeverise 2016-2024, e kanë ushqyer elektoratin e tyre me temën e quajtur përçarje etnike dhe shkelje e të drejtave të shqiptarëve, sepse elektoratit më tepër ju ka interesuar shkelja e shqiptarëve se sa xhepi i tyre dhe kjo është e dhimbshme. Nuk është në rregull që në gjithë këtë krizë të rëndë ekonomike dhe sociale ne të merremi çdo ditë me tema etnike”, theksoi Rexhepi, duke shtuar se mungon një gjeneratë politike që do t’i japë fund këtij cikli të përçarjes.

Një nga pikat kryesore të kritikës së tij ishte çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Sipas tij, ndonëse kjo temë promovohet vazhdimisht nga ekzekutivi, realiteti në terren është i kundërt. Ai pretendoi se shqiptarët po largohen nga pozicionet kyçe, ndërsa reformat e paralajmëruara në sektorë si Ministria e Punëve të Brendshme rrezikojnë të godasin pikërisht përfaqësimin shqiptar, nën arsyetimin e “profesionalizmit”. “Shqiptarët e kanë dëshmuar se dinë të udhëheqin institucione. Nuk mund të përdoret profesionalizmi si justifikim për t’u marrë të drejtat”, deklaroi ai.

Debati u ashpërsua edhe më tej kur Rexhepi ngriti çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe nga zyrtarët dhe nevojën për përkthyes në institucionet qendrore. Ai kritikoi qëndrimet e disa ministrave dhe vetë kryeministrit, të cilët kanë sugjeruar se njohja e gjuhës maqedonase duhet të jetë kusht për funksionet publike. “Ministrat e juaj vazhdimisht e kanë hapur një pyetje dhe thonë që a kanë nevojë ministrat qeveria të kenë përkthyes shqiptarë dhe a duhet gjuha maqedonase të jetë e detyrueshme për shqiptarët. Edhe kryeministri ka qortuar drejtorët e tij se nëse nuk flasin maqedonisht do ti shkarkojë. Unë si deputet bashkë me deputetët tjerë shqiptarë, bashkë me kryetarin e Parlamentit shqiptarë, bashkë me ministrat shqiptarë, flasim shqip dhe juve ua përkthejnë në maqedonisht, sepse kjo është e drejta jonë e garantuar me kushtetutë”, theksoi Rexhepi.

Në përgjigjen e tij, Mickoski i bëri apel deputetit Rexhepi të ketë kujdes me tonin, sepse siç tha askush nuk po i frikësohet. “Nëse mendoni se dikush ju frikësohet nëse bërtitni, gënjeheni. Sikur ju kemi parë shumë gjatë jetës sonë”, theksoi Mickoski.

Ai më tej njoftoi se Ligji për Përfaqësim të Drejtë pritet të arrijë së shpejti në Kuvend, pasi ka kaluar filtrat institucionalë, përfshirë edhe vlerësimin e Komisionit të Venecias. “Ligji për Përfaqësim të drejtë pres që së shpejti të jetë këtu para deputetëve pasi i kaloi të gjitha filtrat, veçanërisht atë të komisionit të Venecias dhe shpresoj ta mbështetni. Por ky ligj është kushtetues, e jo anti-kushtetues të cilën e keni bërë ju, që i ka gënjyer qytetarët”, u shpreh Mickoski.

Kryeministri theksoi se nuk ka asnjë problem me përdorimin e gjuhëve të ndryshme, përfshirë shqipen, por rikujtoi se sipas Kushtetutës, gjuha zyrtare është maqedonishtja dhe shkrimi i saj cirilik. “Absolutisht nuk më pengon, në mënyrë të lirshme përdoreni gjuhën shqipe, madje po mundohem të mësoj gjuhën shqipe dhe të mos kem arsye të dëgjojë përkthimin e asaj për të cilën ju po bërtisni”,deklaroi ai.

Megjithatë kryeministri Mickoski përsëri e llogariti në nivel të njëjtë me gjuhët tjera, të cilat nuk janë gjuhë zyrtare në Maqedoni të Veriut, ndërsa bëri të ditur se gjuhë e parë zyrtare, e detyrueshme me Kushtetutë është gjuha maqedonase. “Nuk jemi kundër gjuhës shqipe, ju nëse dëshironi të flisni, mund të flisni këtu edhe në gjuhën gjermane apo frënge, por nuk e di se a ka përkthyes. Por duhet ta dini se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik dhe gjuhë që përdoret në marrëdhënie ndërkombëtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”, theksoi Mickoski

Megjithatë, për Rexhepin këto deklarata janë pjesë e një klime më të gjerë që, sipas tij, rrezikon të relativizojë të drejtat e fituara. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të “presë pemën e përçarjes etnike” dhe të fokusojë energjinë politike drejt përmirësimit të standardit jetësor dhe stabilitetit social. Kjo përplasje vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur vendi përballet me presione të shumta nga kriza ekonomike, rritja e çmimeve dhe sfidat energjetike, deri te stagnimi në proceset integruese. Në këtë kontekst, rikthimi i debateve etnike shihet nga një pjesë e opinionit si devijim nga çështjet thelbësore, ndërsa nga të tjerë si reflektim i problemeve të pazgjidhura strukturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top