Shukova: Për ajër të pastër në Shkup nevojiten masa të sinkronizuara dhe vendimtare në të gjitha sektorët – nga ngrohja deri te transporti publik dhe gjelbërimi

Kandidatja për Kryetare të Qytetit të Shkupit nga LSDM, Kaja Shukova, në një debat në TV24 theksoi nevojën urgjente për një veprim gjithëpërfshirës dhe të koordinuar për të trajtuar ndotjen e ajrit në kryeqytet.

“Janë identifikuar burimet e ndotjes, si në nivel të Qytetit të Shkupit, ashtu edhe në nivel shtetëror. Nevojitet ndërhyrje në shumë sektorë: mënyra e ngrohjes, transporti publik, menaxhimi i mbeturinave dhe mirëmbajtja e gjelbërimit, i cili prej vitesh është lënë pas dore,” theksoi Shukova.

Ajo shtoi se tashmë ekziston një plan me masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, dhe se një pjesë e tyre mund të fillojnë menjëherë, duke dhënë rezultate të shpejta.

“Ka masa që mund të realizohen shumë shpejt, siç është sistemi BRT, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së shkaktuar nga trafiku. Apo, për shembull, projekti për 15 parqe të reja në 15 muaj – një masë që do të kontribuojë si për ajër më cilësor, ashtu edhe për një jetë urbane më të mirë,” tha Shukova.

Në një replikë lidhur me ndotësit industrialë, konkretisht fabrikën e çimentos dhe “Usje”, Shukova deklaroi:

“Ekziston një kadasër e ndotësve për Qytetin e Shkupit. Të gjithë janë të identifikuar, masat janë të vendosura tashmë në dokumentet komunale dhe shtetërore – nevojitet vetëm zbatimi i tyre. Kemi mjaftueshëm plane – është koha për veprim.”

Në lidhje me arsyet pse këto masa nuk janë zbatuar deri më tani, Shukova theksoi disa probleme kyçe:

“Së pari, për shkak të kapaciteteve të dobëta të komunave, shpesh edhe për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ndërhyrjet në mjedis kërkojnë buxhet serioz. Por ekziston edhe një tjetër problem – mungesa e bashkëpunimit midis Qytetit dhe komunave. Kjo duhet të tejkalohet. Shteti është aty për të ndihmuar përmes strategjive, mbështetjes dhe identifikimit të ndotësve – por pjesa më e madhe e realizimit i takon vetëqeverisjes lokale.”

Si kryetare e ardhshme, Shukova premtoi se do të vendosë një sistem funksional të koordinimit midis qytetit, komunave dhe pushtetit qendror, me qëllim që Shkupi më në fund të ketë ajër të pastër, gjelbërim të qëndrueshëm dhe transport publik modern.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top