Lëvizjet e fundit në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po sinjalizojnë një rikonfigurim të ri të forcave brenda spektrit opozitar. Burime brenda strukturave partiake bëjnë të ditur se një numër i konsiderueshëm anëtarësh dhe aktivistësh, të cilët deri më tani kanë qenë pjesë e strukturave të drejtuara nga Bilall Kasami dhe Bekim Sali, tashmë janë rreshtuar krah Fatmir Limanit.
Ky pozicionim vjen në një moment kur po përgatitet themelimi i një subjekti të ri politik me emrin “LE – Lidhja Europiane”, që synon të ofrojë një alternativë të re në skenën politike, me theks të veçantë në orientimin euro-integrues, reformën e brendshme dhe përfaqësimin më dinamik të shqiptarëve.
Sipas burimeve, pakënaqësitë e akumuluara brenda strukturave ekzistuese, mungesa e hapësirës për vendimmarrje dhe kërkesa për një qasje më të qartë programore kanë shtyrë shumë aktivistë të kërkojnë një adresë të re politike. Fatmir Limani thuhet se ka intensifikuar takimet me grupe të ndryshme në terren, duke konsoliduar mbështetjen për projektin e ri.
“Themelimi i Lidhjes Europiane do të jetë një kapitull i ri në organizimin politik, me fokus te transparenca, profesionalizmi dhe orientimi i pakompromis drejt vlerave evropiane”, bëjnë të ditur burime të afërta me iniciativën.
Zhvillimet e ardhshme pritet të konkretizohen me shpalljen zyrtare të subjektit dhe prezantimin e platformës politike, e cila, sipas sinjaleve të para, do të synojë të tërheqë jo vetëm struktura partiake, por edhe figura të reja nga shoqëria civile dhe diaspora.
