Si drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë mori para për “kujdes nga tjetri” dhe katër muaj “gratis”

Para për kujdes nga tjetri ka marrë drejtoresha aktuale e Qendrës për Punë Sociale, Magdalena Veselinovska, në kohën kur ishte e punësuar në të njëjtin qendër që ia kishte miratuar kujdesin. PortalX ka siguruar dokumente që e konfirmojnë informacionin se Veselinovska ka kërkuar dhe ka marrë kujdes nga tjetri.

Gjithçka ka nisur më 03.06.2021, kur Veselinovska, me diagnozën “leiomiom i mitrës”, ka dorëzuar kërkesë për kujdes nga tjetri. Këtë diagnozë ajo e kishte edhe më herët, ndërsa mjekë nga Spitali Klinik i Tetovës duhej të jepnin mendim konsiliar.

Tre mjekë kanë vendosur se pacientja, me këtë diagnozë, nuk duhet t’i miratohet kërkesa për kujdes nga tjetri. Vendimi negativ i mjekëve, siç shihet nga dokumentet, është marrë më 19.07.2021, pra një muaj e gjysmë pas kërkesës së saj. Dokumenti është nënshkruar nga mjekët Aleksandar Kocevski, Nadir Ajruli dhe Naser Qafjani. Si vërejtje, ata kanë shtuar se personi ka mundësi rehabilitimi dhe duhet të paraqitet në kontrolle të rregullta.

Përpjekja e dytë dhe e suksesshme për kujdes nga tjetri

Megjithatë, drejtoresha aktuale – atëherë e punësuar në shërbimet sociale – ka qenë këmbëngulëse për ta marrë kujdesin. Ajo ka paraqitur kërkesë për mendim konsiliar për herë të dytë.

Këtë herë, asaj i është konstatuar diagnoza F32.2 – episod i rëndë depresiv. Fillimisht ka qenë në kontroll specialistik te mjeku Aleksandar Kocevski, një nga mjekët që kishte nënshkruar edhe vendimin e mëparshëm negativ dhe që punon në spitalin e Tetovës. Te mjeku është konstatuar se ajo ishte paraqitur pasi, tetë muaj më parë, bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë si pasojë e infeksionit nga virusi COVID-19.

Raporti për gjendjen e saj është përgatitur më 26.08.2021, ku, ndër të tjera, thuhet:

“Pacientja paraqitet me frikë, mendime negative, gjendje të keqe shpirtërore, apati, oreks të zvogëluar, çrregullime të gjumit, ndjenjë dobësie dhe lodhjeje. Të dërgohet në komision për kujdes nga tjetri. Terapia – melatonin 5 mg, 1 tabletë në mbrëmje. Kontroll pas dy muajsh.”

Menjëherë pas kësaj, ajo është paraqitur para komisionit, i përbërë nga i njëjti mjek që i kishte bërë kontrollin specialistik dhe dy mjekët e tjerë që kishin nënshkruar edhe vendimin e mëparshëm negativ. Por kësaj here, me diagnozën e depresionit, ata kanë marrë vendim pozitiv.

Në mendimin konsiliar të datës 04.10.2021, mjekët vetëm sa e kanë konfirmuar diagnozën “episod i rëndë depresiv pa simptoma psikotike”; vlerësimi ka qenë se ekziston nevoja për kujdes nga tjetri, por në përmasë më të vogël, dhe i është rekomanduar të vazhdojë mjekimin si dhe të paraqitet në kontroll pas gjashtë muajsh.

E punësuar dhe përfituese e kujdesit nga qendra, me disa muaj “gratis”

Me këtë dokumentacion mjekësor, institucioni ku ishte e punësuar drejtoresha aktuale ia ka miratuar të drejtën për kujdes nga tjetri. Në vendim thuhet se bëhet fjalë për kujdes në përmasë më të vogël, në vlerë prej 4.039 denarësh, duke u llogaritur nga data 03.06.2021.

Megjithatë, mbetet e paqartë pse qendra ka marrë vendim që kjo e drejtë të vlejë nga qershori, e jo nga tetori, kur mendimi i parë konsiliar i marrë në qershor ishte negativ. Vendimi pozitiv i komisionit të mjekëve është marrë vetëm katër muaj më vonë, kështu që Veselinovska ka përfituar katër muaj “gratis” pagesa nga shteti, nga institucioni ku ishte e punësuar dhe ku sot është drejtoreshë.

Edhe më shumë dyshime ngre fakti se në arsyetimin e vendimit thuhet se ai është marrë pikërisht në bazë të mendimit konsiliar të tetorit.

“NP Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale e qytetit të Tetovës, duke vendosur sipas kërkesës së personit të emëruar për realizimin e të drejtës për kompensim për ndihmë dhe kujdes nga person tjetër, dhe në bazë të shqyrtimit të dokumentacionit të bashkëngjitur, si dhe të gjetjes, vlerësimit dhe mendimit të komisionit profesional për nevojën e ndihmës dhe kujdesit nga person tjetër të datës 04.10.2021, konstatoi se kërkesa është e arsyetuar dhe e pranuar”, thuhet në arsyetim.

Përfitueses i është urdhëruar të paraqitet në kontroll pas gjashtë muajsh, duke u llogaritur nga ajo datë.

PortalX e ka pyetur drejtoreshën aktuale – atëherë e punësuar dhe përfituese e kujdesit nga tjetri – se si është e mundur të marrë para nga institucioni ku punon, mbi bazën e një mendimi konsiliar që fillimisht ka qenë negativ.

Ajo ka deklaruar se nuk është përzier në procedurat, pasi në atë kohë ka qenë vetëm e punësuar në institucion. Sipas saj, këto informacione po i publikojnë persona që janë të dyshuar për kriminalitet, me qëllim defokusimi.

Megjithatë, sipas një pjese të njohësve të fushës, diagnoza e dhënë me mendimin e dytë konsiliar është e dyshimtë për përfitimin e së drejtës për kujdes nga tjetri. Ata theksojnë se deri më tani janë publikuar shumë raste të personave me diagnoza shumë më të rënda që nuk kanë arritur ta realizojnë këtë të drejtë.

Magdalena Veselinovska është emëruar drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë më 2 shtator 2024, pas ndryshimit të pushtetit dhe ardhjes në qeveri të koalicionit VMRO-DPMNE dhe VLEN.

Back To Top