Rritja e pagës minimale në 600 euro dhe rritja e të gjitha pagave të tjera për 100 euro janë kërkesat kryesore për të cilat sot Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut (LSM) proteston në Shkup. Sindikatat paralajmërojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren seriozisht nga institucionet, nuk përjashtohen bllokada të institucioneve shtetërore, madje as grevë e përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, u ka bërë apel punëtorëve që të mos u nënshtrohen kërcënimeve, duke bërë të ditur se presione dhe kërcënime ka marrë edhe ai personalisht.
Megjithatë, përkundër paralajmërimeve serioze për protesta, greva dhe pakënaqësisë së hapur të punëtorëve, koalicioni shqiptar në Qeveri, VLEN, vazhdon të heshtë. Deri tani, asnjë qëndrim publik, asnjë deklaratë zyrtare dhe asnjë sqarim nuk ka ardhur nga përfaqësuesit e këtij koalicioni lidhur me kërkesën për rritjen e pagës minimale dhe të pagave në përgjithësi.
Heshtja e VLEN-it ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta politike dhe sociale.
Në një kohë kur inflacioni dhe kostoja e jetesës po rriten, ndërsa sindikatat kërkojnë paga dinjitoze, mungesa e një qëndrimi nga partnerët shqiptarë të Qeverisë shihet si shmangie nga përgjegjësia politike. Opinioni publik pret përgjigje të qarta: a e mbështet VLEN rritjen e pagës minimale në 600 euro, apo jo?
