Studentët në Saraj: “Kërkojmë drejtësi dhe provim në shqip”

“Nuk kërkojmë favore, kërkojmë drejtësi” dhe “Foli Shqip o taj”, sonte në Saraj janë shfaqur pankarta nga studentët me mesazhe të qarta kundër asaj që ata e cilësojnë si padrejtësi institucionale. Me këto slogane, ata kanë ngritur zërin lidhur me moslejimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.

Sipas reagimeve të studentëve, kërkesa për organizimin e provimit edhe në gjuhën shqipe nuk përbën privilegj, por një e drejtë themelore që duhet të garantohet me ligj. Ata theksojnë se pengesat aktuale bien ndesh me parimet e barazisë dhe qasjes së barabartë në arsim.

Në fokus të kritikave është qeveria VMRO–VLEN, e cila akuzohet për mosveprim dhe mungesë vullneti për të zgjidhur këtë çështje. Studentët kërkojnë zbatim të plotë të të drejtave gjuhësore dhe trajtim të barabartë në proceset akademike dhe profesionale.

Kjo nismë shihet si pjesë e një reagimi më të gjerë ndaj, sipas tyre, neglizhimit të vazhdueshëm të të drejtave të studentëve shqiptarë, duke paralajmëruar se reagimet do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë, studentët paralajmërojnë edhe protesta më të gjera më 6.04.2026, te Ura e Gurit.

Back To Top