Sulmi i së shtunës ndaj Iranit ishte rezultat i “shumë javëve” planifikim në koordinim me Shtetet e Bashkuara, deklaroi një zyrtar ushtarak izraelit, sipas The Washington Post.
Zyrtari, që foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së operacioneve, e përshkroi sulmin si një “operacion të koordinuar”, duke theksuar se niveli i bashkëpunimit “nuk është parë më parë”.
Sipas tij, koordinimi ka qenë i ngushtë në të gjitha nivelet, nga shefi i shtabit izraelit deri te komandanti i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (Centcom). Zyrtari tha se po vlerësohet ende “niveli i suksesit të goditjeve hapëse”, të cilat përfshinë sulme për të pastruar hapësirën ajrore iraniane për forcat izraelite dhe shënjestrimin e “figurave të profilit të lartë” në Iran.
Ai shtoi se ushtria izraelite ka dërguar urdhra mobilizimi për rreth 70 mijë rezervistë, përfshirë në mbrojtjen ajrore dhe në kufij, ndërsa përforcime janë dërguar edhe në kufijtë me Libanin dhe Sirinë. “Po përgatitemi për skenarë të ndryshëm”, tha ai.
