Të dhënat dhe sondazhet e fundit po japin një sinjal të fortë alarmi: ekonomia e bizneseve shqiptare në Maqedoninë e Veriut është tkurrur deri në 40% krahasuar me dy vite më parë dhe ky trend po thellohet.

Sipërmarrësit po zhvendosen kompanitë. Kapitali, aktiviteti dhe vendet e punës po kërkojnë siguri jashtë vendit.

Sipas sondazheve, shumica e pronarëve shqiptarë të bizneseve po shqyrtojnë zhvendosjen e aktiviteteve të tyre drejt Kosovës ose Shqipërisë. Arsyeja kryesore nuk është tregu, por mungesa e mbrojtjes politike dhe institucionale.

Dobësimi i përfaqësimit politik të shqiptarëve ka lënë bizneset të ekspozuara ndaj presioneve nga institucionet kontrolluese, me kontrolle selektive, gjoba dhe pengesa administrative. Kjo situatë përforcohet nga një klimë politike përjashtuese, e ushqyer nga qarqe nacionaliste, ku biznesi shqiptar shihet si problem, jo si partner zhvillimi.

Izolimi i vendit dhe mungesa e perspektivës e bëjnë situatën edhe më të rëndë. Kapitali nuk pret — ai lëviz.

Zhvendosja e bizneseve shqiptare nuk është çështje etnike, por problem shtetëror. Çdo kompani që largohet merr me vete vende pune, të ardhura dhe besim.

Pyetja mbetet: kush po i shtyn këto biznese drejt largimit — dhe kush mban përgjegjësi?

Back To Top