TRONDITJE NË SKENËN SHQIPTARE: ALBANA LOKU SHPALOS FUNDIN E PAPRITUR TË KARRIERËS – “ARTISTËT PO PËRBALLEN ME NJË SISTEM QË I NDËSHKON”

Skena kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut është tronditur sot nga lajmi se Albana Metallari, një nga zërat më të njohur të artit popullor, ka vendosur t’i japë fund karrierës së saj profesionale në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare.

Pas më shumë se një viti e gjysmë përpjekjesh për t’u rikthyer në ansambël dhe dhjetëra takimeve me institucionet përkatëse, përfshirë ministrinë, zv.ministrinë e Kulturës dhe zv.kryeministrin e parë Izet Mexhiti, lajmi që Albana mori ishte i papritur dhe i dhimbshëm: punësimet për ansamblin shtetëror kanë përfunduar dhe nuk do të ketë hapje të reja deri në vitin 2027.

Ky vendim ka goditur jo vetëm artisten, por edhe bashkëshortin e saj, Ilirin, i cili gjithashtu ka dhënë zemrën për artin dhe kulturën shqiptare. Albana ka treguar një moment të veçantë që e preku thellë: drejtori i ansamblit i kishte thënë se kishte dëgjuar fjalë se ajo nuk do të punësohej për shkak të mbështetjes së saj publike për kandidatin shqiptar Bujar Osmani në zgjedhjet lokale të vitit 2025.

Duke theksuar qartësisht rolin e saj, Albana shprehet:

“Unë nuk jam politikane, jam artiste. Dhe e vetmja arsye pse kam dalë publikisht ka qenë shpresa që edhe unë, ashtu si shumë artistë të tjerë, të mund të gjej një vend pune të merituar në institucionin ku kam investuar vite, talent dhe përkushtim.”

Sipas saj, ky kapitull i fundit është një betejë e heshtur për të drejtën që çdo profesionist e meriton: punën. Albana ka konfirmuar se dy koncertet e festave të nëntorit do të jenë performancat e saj të fundit profesionale, duke shënuar një fund të dhimbshëm në jetën e saj artistike.

Ky zhvillim ka hapur një debat të gjerë mbi sfidat me të cilat përballen artistët shqiptarë në institucionet shtetërore dhe nevojën për të krijuar një sistem që respekton talentin, përkushtimin dhe pavarësinë e tyre profesionale.

Back To Top