U nda nga jeta në moshën 73-vjeçare, kush ishte ish-kryeministri Fatos Nano
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë sot nga jeta në moshën 73-vjeçare. Prej disa ditësh ai ishte i shtruar në një spital privat në gjendje të rëndë shëndetësore. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, Nano nuk mundi t’i mbijetojë komplikacioneve. Më herët, spitali bëri të ditur se ai kishte pësuar arrest kardiorespirator.
Kush ishte Fatos Nano?
Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë. Ai kreu studimet e mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe më pas Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 1975 u specializua në Ekonomi Politike. Në vitin 1983 mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000 u nderua me titullin akademik “Profesor Doktor”.
Po atë vit, ai u vlerësua me dy tituj “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos dhe Universiteti i Barit në Itali, për kontributin në fushat e ekonomisë dhe komunikimit.
Nano hyri në politikë në vitin 1991, kur u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit, me misionin për organizimin e zgjedhjeve të para pluraliste dhe kalimin e Shqipërisë drejt ekonomisë së tregut dhe sistemit demokratik. Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, ai u caktua sërish kryeministër, por dha dorëheqjen pas dy muajsh. Në të njëjtin vit u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste.
Në vitin 1993 u arrestua dhe u dënua për korrupsion dhe abuzim detyre – një proces që më vonë u konsiderua gjerësisht politik. Ai u lirua në vitin 1997 me amnisti, mes krizës së madhe të shkaktuar nga rënia e skemave piramidale. Po atë vit, pas fitores së Partisë Socialiste, Nano u rikthye në krye të qeverisë.
Në shtator 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe protestave të dhunshme që pasuan, Nano dha dorëheqjen. Në vitin 1999, ai u shpall i pafajshëm ndaj akuzave të mëparshme.
Në vitin 2002 u rikthye për herë të tretë në detyrën e Kryeministrit, pas zgjedhjeve të vitit 2001. Mandati i tij përfundoi pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, dhe më 1 shtator të atij viti ai dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.
