Ulërimat raciste antishqiptare nga “Komitët”, Taulant Balla: Gabim i pafalshëm nëse mbyllen sytë

Nga Tirana zyrtare ka pasur reagime lidhur me thirrjet raciste antishqiptare në ndeshjen Vardar-KF Bashkimi që u luajt dje në Shkup, dhe që eskaloi në tensione. Tifozët “Komiti” ishin ata që lëshuan pandalur valë thirrjesh antishqiptare.

Ish-ministri i Brendshëm shqiptar dhe shefi i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla reagoi lidhur me këto zhvillime.

“Si dashamirës i futbollit, por dhe si një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e thellë për incidentet dhe dënoj ashpërsisht fyerjet me bazë nacionaliste e raciste kundër futbollistëve dhe stafit të KF ‘Bashkimi 1947’ në një ndeshje të zhvilluar dje të kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Thirrjet kundër shqiptarëve ishin shumë të rënda dhe po aq të rënda duhet të jenë masat e ndërshkimet e ndërmarra nga Federata e Futbollit në vendin fqinj. Nëse futbolli europian dhe ai botëror gjatë kësaj jave u solidarizua me futbollistin e Real Madrid – Vinicius, e njëjta gjë duhet të ndodhë me djemtë e ekipit dhe stafit të KF ‘Bashkimi 1947’ në Maqedoninë e Veriut. Do të jetë gabim i pafalshëm nëse në Maqedoninë e Veriut mbyllen sytë ndaj kësaj ngjarje!”, ka reaguar shefi i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla.

Back To Top